Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar në lidhje me vendimin dënues të Gjykatës së Prishtinës ndaj të akuzuarës Jelena Gjukanoviq për spiunazh.
Gjykata Themelore e Prishtinës e ka shpallur fajtore dhe e ka dënuar me 6 vjet burgim Gjukanoviqin, e akuzuar se në cilësinë e zyrtares së Misionit të OSBE-së ka kryer spiunazh për BIA-n serbe.
Sveçla në rrjetin social Facebook ka thënë se institucionet e sigurisë do të vazhdojnë luftën kundër këtyre veprimtarive pa kompromis.
Sipas tij, kërkohet më shumë vendosmëri dhe vendimmarrje e ndëshkueshmëri në përputhje me peshën dhe pasojat e rënda që këto akte kanë për Republikën e Kosovës.
Tutje në reagim, Sveçla ka thënë se Institucionet e Kosovës si kurrë më parë janë angazhuar në zbulimin dhe parandalimin e aktiviteteve të spiunazhit në vendin tonë.
Përmes këtyre veprimtarive, sipas tij, është rrezikuar direkt siguria kombëtare dhe rendi kushtetues i Kosovës.
“Institucionet shtetërore të Republikës sonë, si kurrë më parë, janë angazhuar në zbulimin dhe parandalimin e aktivitetit të spiunazhit në vendin tonë, i cili ka rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues. Sot, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, është dënuar me 6 vite burgim Jelena Gjukanoviq, e cila ka zhvilluar veprimtari spiunazhi duke nxjerrë dhe shpërndarë te akterë të ndryshëm në Serbi dokumente të brendshme dhe të ndjeshme të institucioneve tona”, ka shkruar ai.
“Ndërkohë që institucionet e sigurisë do të vazhdojnë pa kompromis luftën kundër këtyre veprimtarive, kërkohet edhe më shumë vendosmëri në vendimmarrje dhe ndëshkueshmëri, në përputhje me peshën dhe pasojat e rënda që këto akte kanë për Republikën tonë. Askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë veprim që cenon sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës sonë nuk do të tolerohet”- thuhet në reagimin e plotë të ministrit të punëve të brendshme”, ka shtuar Sveçla.
Gjykata Themelore e Prishtinës, sot e ka shpallur fajtore dhe e ka dënuar me 6 vjet burgim Jelena Gjukanoviqin, e akuzuar se në cilësinë e zyrtares së Misionit të OSBE-së ka kryer spiunazh për BIA-n serbe.
Më 27.04.2026, shpallja e këtij aktgjykimi u bë nga gjyqtari Rrahman Beqiri.
Sipas aktgjykimit të shpallur, e akuzuara u obligua që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 200 euro dhe 100 euro për Fondin e viktimave të krimit.
Të akuzuarës iu vazhdua masa e parburgimit deri në plotëfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.
Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë drejtë ankesë në Gjykatën e Apelit.
Në seancën e datës 23.04.2026, nga palët në procedurë ishin dhënë fjalët përfundimtare.
Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga: Rrahman Beqiri (kryetar i trupit gjykues), Kujtim Krasniqi dhe Avni Syla (anëtarë).
Ndërsa aktakuza përfaqësohet nga prokurori special Bekim Kodraliu.
Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 16.09.2025, e akuzuara Jelena Gjukanoviq nuk e kishte pranuar fajësinë.
Sipas PSRK-së, Zyrtarja e Programit Kombëtar në zyrat e OSBE-së, në Mitrovicën e Veriut, kishte marrë udhëzime nga Aleksandar Vllajiq, i cili kishte pranuar fajësinë për këtë vepër penale, për pasqyrimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë, po ashtu ka kontribuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës.
Më 04.09.2025, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Jelena Gjukanoviq për veprën penale të spiunazhit.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhej se Jelena Gjukanoviq akuzohet se nga data e pacaktuar e deri në momentin e arrestimit më 28.02.2025, në cilësinë e zyrtares të Misionit të OSBE-së në Kosovë, me vetëdije dhe me dashje ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë.
Jelena Gjukanoviq nga Prokuroria Speciale akuzohet se ka siguruar dhe shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme për interes të BIA-s.
E pandehura, e cila mbante pozitën Zyrtare e Programit Kombëtar në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Regjionin e Mitrovicës, akuzohet se ka siguruar dhe shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme për interes të BIA-s. Këto veprime, sipas Prokurorisë, kanë cenuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës, si dhe kanë vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së në Kosovë” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
“J.GJ.nga pozita e saj në OSBE, dhe udhëzimeve që kishte marrë nga tani i dënuari për spiunazh A.V., gjatë takimeve zyrtare dhe përpilimit të raporteve të OSBE-së, për pasqyrimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë, po ashtu ka kontribuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës.” – thuhej tutje në njoftimin e Prokurorisë.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se sipas provave të siguruara gjatë hetimeve, informacionet e siguruara nga Jelena Gjukanoviq, janë transmetuar tek zyrtarët e lartë të BIA-s, përkatësisht R.G., përgjegjës i BIA-s për Rajonin e Novi Pazarit në Serbi, dhe zyrtari L.B., ku me këtë të fundit, e pandehura në disa raste edhe ishte takuar në Beograd të Serbisë.
KALLXO.com kishte raportuar më 28.02.2025 se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se pas zhvillimit të hetimeve disamujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, më 28.02.2025, në regjionin e Mitrovicës kishte arrestuar Gjukanoviqin për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale – spiunazhi.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 02.03.2025 kishte caktuar masën e paraburgimit për herë të parë ndaj Jelena Gjukanoviq.