Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka pranuar kërkesë nga Lëvizja Vetëvendosje për thirrjen e një seance në ora 20:30.
Ajo ka njoftuar se LVV ka propozuar dy kandidatura për president: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
“Sot kam pranuar kërkesën e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit, e cila do të mbahet sot në orën 20:30. Në kuadër të kësaj kërkese janë propozuar dy kandidatura për President: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha”- ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ajo ka ftuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të marrin pjesë në këtë seancë, në përputhje me obligimet e tyre kushtetuese.
Në seancën e jashtëzakonshme ku u diskutua për çështjen e zgjedhjes së presidentit, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku kanë deklaruar se tërhiqen nga kandidatura për president të Kosovës.