TB
News Blog arbn · April 30, 2026 · Uncategorized

77.5 milionë euro për bujqësinë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka miratuar Vendimin për Kornizat e Programit Vjetor 2026, me një buxhet prej 77.5 milionë euro për mbështetjen e sektorit të bujqësisë në Kosovë.

Sipas njoftimit, programi përbën bazën kryesore për politikat bujqësore gjatë vitit 2026 dhe synon të lidhë mbështetjen direkte për fermerët me investimet zhvillimore dhe masat për stabilizimin e tregut. Qëllimi kryesor i tij është rritja e prodhimit vendor, fuqizimi i fermerëve të vegjël dhe modernizimi i sektorit bujqësor.

Programi përfshin pagesa direkte për sipërfaqe bujqësore dhe sektorë strategjikë si blegtoria, qumështi, drithërat, pemëtaria dhe bletaria, si dhe mbështetje për praktika bujqësore të qëndrueshme. Po ashtu, janë paraparë investime për zhvillimin rural, përfshirë modernizimin e fermave, përpunimin e produkteve dhe forcimin e organizimit të fermerëve.

Një pjesë e konsiderueshme e programit është e dedikuar edhe për stabilizimin e tregut, përmes mbështetjes për inpute bujqësore, uljen e kostove të prodhimit dhe ndërhyrjeve në sektorët e ndjeshëm.

Ministri Armend Muja ka theksuar se programi nuk është vetëm mbështetje financiare për fermerët, por një qasje më e gjerë zhvillimore për transformimin e sektorit bujqësor në Kosovë.

Sipas tij, korniza e re synon të rrisë konkurrueshmërinë, të përmirësojë cilësinë e prodhimit vendor dhe të krijojë një zinxhir më të qëndrueshëm të vlerës nga ferma deri te tregu.

Zbatimi i programit do të bëhet përmes udhëzimeve administrative dhe thirrjeve për aplikim, ndërsa institucionet përgjegjëse pritet të sigurojnë kontroll dhe transparencë në shpenzimin e fondeve publike.

Related Articles