Të enjten, ministri i Bujqësisë, Armend Muja dhe zyrtarë të kësaj ministrie njoftuan përmes një konference për media se pagesa bazë për sipërfaqe të kultivuar do të jetë 150 euro për hektarë.
Isuf Cikaqi, zyrtar i Ministrisë së Bujqësisë, tha se pagesat në formë të mbështetjes për fermerët sivjet do të ndahen në disa kategori. Për herë të parë, sipas tij, është përfshirë masa për eko-skemat, e cila parasheh subvencione për produktet organike.
“Pagesat bazë për sipërfaqe jepen në mënyrë të njëjtë për hektarët për të gjithë sipërfaqet e mbjellura, të kultivuara dfhe të pranuara sipas grurit përkatës. Këtu përfshihen të gjitha kulturat bujqësore te prodhimtaria bimore, duke filluar nga drithrat: gruri, gruri për farë, misri, tërshëra, thekra. Mbështetja do të jetë 150 euro për hektarë”, tha Cikaqi. “Vazhdohet pastaj për kulturat vajore ku bëjnë pjesë luledielli dhe kungujt, me mbështetje prej 150 euro për hektarë”.
Fasulja mbështetet me 150 euro për hektarë, ndërsa për perimet, mbështetja do të jetë po ashtu 150 euro për hektarë, njoftuan zyrtarët e Ministrisë në konferencë.
“Te buallicat mbështetja do të jetë me 180 euro për krerë, te msherat për riprodhim subvencionimi do të jetë 60 euro për krerë, ndërsa te lopët qumështore pagesa do të jetë 90 euro për krerë”.
“Te sektori i derrave për riprodhim, prapë do të vazhdohet me mbështetje me 25 euro për krerë. Te sektori i shpeztarisë do të kemi dy forma të mbështetjes. Për kokë të pulës së vosit do të jenë 50 cent, ndërsa për brojlerë me 20 cent për kokë”, tha ai.
“Për kokë të deles subvencionimi do të jetë 25 euro për kokë, ndërsa për kosheret e bletarisë, subvencionimi do të jetë me 20 euro për koshere”.
Subvencionim do të ketë edhe për drithrat.
“Do të kemi një klasifikim me 0.03 deri në 0.05 euro për kilogram të prodhuar dhe të dorëzuar. Mbështetja shtesë për misër me 25 euro”, tha Cikaqi.
“Sektori i pemtarisë: Te fidanet do të ketë pagesa me 0.15 euro për fidanet e prodhuara për copë. Vreshtaria me 900 euro për hektarë, përveç shumës bazike që e marrin së pari me 150 euro për hektarë. Vera do të subvencionohet me 0.08 euro për litër të prodhuar. Perimet, po ashtu do të subvencionohen me 350 euro për hektarë dhe 500 euro për hektarë për perime të cilat kultivohen në fushë të hapur, përkatësisht ato që kultivohen në serra”, sipas Cikaqit.
Cikaqi tha se risia e këtij viti të subvencionimeve është masa për eko-skemat.
“Risi e këtij programi sivjet do të jenë eko-skemat, e të cilat tregojnë për rëndësinë e ceritifikimit të produkteve, në këtë rast për kulturat organike. Te prodhimtaria organike, te sektori i bletarisë, do të subvencionohet bletarët me 30 euro për koshere – nëse e arrijnë të ceritifikohen si organike. Të gjitha drithrat organike, po ashtu do të subvencionohen deri në 450 euro për hektarë varësisht prej sasisë”, tha ai.
Ministri Armend Muja tha se rreth 1,000 grante parashihen të jepen për fermerët e rinj në moshë.
Pagesat e inputeve në bujqësi dhe këtë herë, tha ministri, do të paguhen subvencione për naftën për fermerët.
Ai tha se thirrja për grantet në bujqësi pritet të hapen së shpejti.