Janë identifikuar dy zyrtarët policorë që dyshohet se janë përfshirë në incidentin me të shtëna armësh në fshatin Mramor të Prishtinës, mëson Sinjali.
Bëhet fjalë për Artan Gashin dhe Albion Alshiqin, zyrtarë të Stacionit Policor “Veriu” në Prishtinë, të cilët janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).
Ngjarja ka ndodhur më 27 prill 2026 rreth orës 19:05 në rrugën “Halit Gashi”, ku pas daljes në vendngjarje, njësitë policore kanë gjetur dhe sekuestruar plot 55 gëzhoja të kalibrit 9 mm, çka ngrit dyshime serioze për përdorim të armëve të zjarrit.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë IPK, hetuesit dhe njësia e forenzikës, ndërsa janë intervistuar edhe dëshmitarë që kanë qenë në afërsi në momentin e incidentit.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar për veprat penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
Dy zyrtarët policorë janë suspenduar nga detyra, u janë sekuestruar armët zyrtare dhe pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.